Programi 6 Mujor "Kujdestar për Fëmijë"
Pjesëmarrësit në Kursin për "Kujdestar fëmijësh" duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë. Kujdestari për fëmijë është i aftë të kryejë detyra profesionale si i punësuar apo i vetëpunësuar në sektorin e përkujdesjes për fëmijë. Për realizimin me sukses të këtyre detyrave, kujdestari për fëmijë duhet të zotërojë njohuri profesionale që kanë të bëjnë me konceptet dhe procedurat bazë, si dhe shprehi praktike që lidhen me veprimtarinë profesionale të kujdestarit për fëmijë.
Suksesi i kujdestarit për fëmijë është i lidhur ngushtë me sjellje si: empatia, përgjegjshmëria, shkathtësia, kujdesi, përqendrimi, mospërdorimi i pijeve alkoolike, saktësia, korrektësia dhe disiplina, sjellje që e ndihmojnë atë të plotësojë kërkesat dhe të përballojë vështirësitë e punës. Profesioni lidhet ngushtë me procedurat e punës për plotësimin e nevojave bazike të fëmijës, organizimin e aktiviteteve edukative dhe socio-argëtuese, përkujdesjen për shëndetin e fëmijës dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt, duke zbatuar me rigorozitet politikat e mbrojtjes së fëmijëve.
Ai/ajo mund të punësohet si kujdestar fëmijësh në çerdhe, në familje, në sistemin shkollor dhe parashkollor, etj. Me përvojë pune dhe kualifikime shtesë mund të përparojë në nivelin e kujdestarit të kualifikuar për fëmijë. Përmes kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, mund të marrë funksione mbikëqyrëse, duke u ngritur deri në menaxher të qendrave të kujdesit për fëmijë. Ndjekja e shkollës së lartë çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni. Për të zhvilluar aktivitet privat dhe për vetëpunësim, kërkohet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit. Ky kurs përgatit kursantët me kompetenca profesionale për të ushtruar veprimtari të përfshira në njësinë "Punonjës të kujdesit për fëmijë" (kodi 5311), referuar Listës Kombëtare të Profesioneve.
Cfarë trajton programi?
Ky program studimi përfshin modulet:
- Hyrje në profesionin e kujdestarit për fëmijë
- Zbatimi i politikave të mbrojtjes së fëmijëve
- Përkujdesja ndaj fëmijës për orientimin e tij në kohë, hapësirë dhe me ritmin
- Përkujdesja për zhvillimin social dhe komunikimin te fëmijët
- Përkujdesja për kryerjen e nevojave bazë të fëmijëve
- Dhënia e ndihmës së parë dhe përkujdesja ndaj fëmijës së sëmurë
- Etika dhe ndërtimi i marrëdhënieve profesionale me fëmijët/familjarët
- Bazat e kujdesit dhe përfshirjes për fëmijët me aftësi ndryshe
Vlerësimi dhe çertifikimi
- Komunikojnë me etikë profesionale me fëmijët, prindërit/kujdestarët ligjorë, kolegët
- Zbatojnë rregullat në punë dhe përdorin mjetet e duhura në ambientin e punës
- Zbatojnë politikat e mbrojtjes së fëmijëve
- Ushtrojnë fëmijën për orientimin në kohë, hapësirë dhe me ritmin
- Përkujdesen për sjelljet dhe qëndrimet e fëmijës ndaj të tjerëve
- Ushtrojnë fëmijën në zhvillimin e të folurit dhe komunikimin verbal/joverbal
- Vlerësojnë gjendjen e përgjithshme të fëmijës, kryejnë përkujdesjen trupore dhe ushqimin
- Respektojnë rregullat e higjienës personale dhe të mjedisit
- Vlerësojnë urgjencën sipas rastit, japin ndihmën e parë dhe e dokumentojnë
- Kryejnë matjen e temperaturës, frymëmarrjes dhe pulsit, dhe përkujdesen për fëmijën e sëmurë
- Ndihmojnë teknikisht gjatë vizitës mjekësore dhe ekzaminimeve
- Përkujdesen për fëmijët me çrregullime të ndryshme në organizëm
- Komunikojnë me prindin ose kujdestarin ligjor të fëmijës dhe ndërtojnë marrëdhënie profesionale
- Referojnë rastet në shërbimet e tjera sipas nevojës
- Identifikojnë nevojat specifike të fëmijëve me aftësi ndryshe (fizike, mendore, sociale, emocionale)
Kursantët vlerësohen nga instruktorët për të gjitha rezultatet e të nxënit që përfshijnë modulet e kursit dhe, pas vlerësimit pozitiv, futen në provimin përfundimtar teoriko-praktik. Nëse vlerësohen pozitivisht edhe në provimin përfundimtar, fitojnë certifikatën përkatëse të njohur nga MEKI.
